Montag, 26. August 2013

Princi dhe vajza e zgjuar

Na rronte njëherë një prijës i ri, që njihej jo vetëm për trimërinë por kryesisht për karakterin e harbuar e tekanjoz. Njëherë thirri plakun e fshatit të rripte një gur e pastaj të pregatiste një drekë për të ftuarit e tij.
Plaku,i zënë ngushtë u kthye në shtëpi i vrerosur dhe i tregoi vajzës së tij të vetme për urdhërin e çuditshëm të prijësit. Vajza ishte e re, shumë e bukur por edhe shumë mendjeprehtë u mendua.
Ajo e qetësoi të atin dhe i premtoi se do ta ndihmonte. Dhe me të vërtetë, në mëngjez shkoi te babai i saj me një hanxhar në dorë dhe i tha: "Jepja këtë thikë prijësit dhe i thuaj ta therrë në fillim gurin e pastaj ti mund ta rrjepësh e t’i marrësh lëkurën".
Plaku veproi tamam ashtu siç e mësoi e bija. Prijësi u zemërua dhe i tha:
- Ku ke ndëgjuar or plak, që të therret guri? Mos kërkon të tallesh me mua?
Plaku u përkul tërë nderim dhe iu përgjigj:
- Nuk guxoj të të kundërshtoj o prijës, po ku është ndëgjuar të rrjepësh lëkurë nga një gur?!
Prijësit i pëlqeu përgjigja dhe duke marrë vesh se fjalët e plakut dilnin nga mendja e së bijës, u martua me të.
Vështirë e pati prijësi me gruan e tij të re. Ajo doli më e zgjuar nga i shoqi dhe kjo cënoi keq sedrën e sëmurë të prijësit, aq sa vendosi të ndahet prej saj, megjithëse e donte si më parë.
- Unë po shkoj për gjueti, por ki mendjen: po qe se ti para kthimit tim do të zgjidhësh qoftë edhe një çështje, me mua nuk ke punë më, do të ndahemi njëherë e mirë.
Kaloi një ditë, dy apo më tepër, dhe te fqinjët erdhi një mik. Natën pela e mikut polli një mëz. Në mëngjez miku, kur mori vesh lajmin u gëzua shumë, por të zotët e shtëpisë filluan të ngulnin këmbë se mëzin e polli qerrja ku ishte lidhur pela.
Filluan të grindëshin dhe për të sheshuar problemin vendosën të ftojnë gruan e prijësit. Dhe kjo erdhi, por me mjaft vonesë.
Ajo kërkoi ndjesë për vonesën duke u shfajësuar se rrugës, duke ardhur, pa përroin që kishte marrë zjarr dhe e shojti duke i hedhur fletë të thata.
Të gjithë u habitën. Edhe miku edhe të zotët e shtëpisë.
- Zjarrin e shuajnë me ujë e jo me fletë të thata, e pastaj, ku është dëgjuar që të digjet uji?!- thanë ata.
Gruaja e prijësit qeshi nën buzë dhe u përgjigj:
- Po qe se e keni të qartë se kjo nuk ndodhë, si nuk mund të kuptoni se qerrja s’mund të pjellë mëza?
Në këtë mënyrë u zgjidh edhe grindja në dobi të mikut.
Kur u kthye nga gjyetia, prijësi mori vesh që gruaja e tij kishte shkelur porosinë
që i kishte dhënë. Ai i tha gruas të marrë me vete gjithçka dhe çfardo që do e të largohet nga shtëpia e tij e të shkojë te të sajtë, apo ku të dëshirojë.
- Mirë, unë pranoj, por para se të largohem dëshiroj të hamë sëbashku darkën e fundit të lamtumirës, - u lut ajo dhe, pasi mori pëlqimin e të shoqit, shtroi sofrën.
Gjatë darkës ajo e dehu të shoqin, pastaj, me kujdes, që të mos zgjonte, e ngarkoi në qerre dhe sëbashku me të u nis për te prindërit e saj.
Rrugës prijësi u zgjua dhe i habitur qeshi:
- Ku po më çon kështu?
E shoqja, si gjithnjë, u përgjigj qetë:
- Si ku? A më urdhërove të largohem nga shtëpia jote dhe më lejove të marr me vete gjithçka më nevojitet dhe çfarëdo që dua? E pra, unë ty të dua më tepër dhe asgjë tjetër. Prandaj dhe të mora vetëm ty për të prindërit e mi.
Prijësi i habitur me mendjen e mprehtë të gruas, hoqi dorë nga tekat dhe u kthye në shtëpi dhe jetoi i lumtur me gruan e tij.

1 Kommentar: